Prokuroria e Kumanovës nis hetim për thirrjet raciste ndaj shqiptarëve në ndeshjen Maqedoni–Rumani

Prokuroria Themelore Publike e Kumanovës ka nisur hetime lidhur me thirrjet raciste dhe gjuhën e urrejtjes që u dëgjuan gjatë ndeshjes së basketbollit mes Maqedonisë së Veriut dhe Rumanisë, e cila u zhvillua të shtunën në pallatin e sporteve në Kumanovë.
Në tribunat e mbushura të palestrës u dëgjuan parulla skandaloze si “Shqiptari i mirë është shqiptari i vdekur” dhe “Dhoma të gazit për shqiptarët”, duke shkaktuar reagime të forta në opinionin publik, jo vetëm në Maqedoninë e Veriut, por edhe në Shqipëri dhe Kosovë.
Incidenti ndodhi në prani të kryeministrit maqedonas Hristijan Mickoski, i cili ishte i ulur në tribunë bashkë me kryetarin e Kumanovës dhe udhëheqësin e ZNAM, Maksim Dimitrievski, si dhe deputetin e VMRO-DPMNE-së, Brane Petrushevski. Pamje nga ndeshja janë publikuar edhe në profilin zyrtar të Mickoskit në Facebook.
Në një deklaratë për media, Prokuroria bëri të ditur se ka lëshuar disa urdhra hetimorë ndaj Drejtorisë së Punëve të Brendshme të Kumanovës, për të siguruar pamjet e kamerave të sigurisë me qëllim identifikimin e personave përgjegjës për nxitjen e urrejtjes etnike.
“Janë ndërmarrë veprime për hetimin e një vepre penale që përfshin gjuhë urrejtjeje nga persona të panjohur deri më tani,” thuhet në njoftim.
Ndërkohë, partitë politike në vend kanë reaguar në mënyra të ndryshme. VMRO-DPMNE, përmes deputetit Petrushevski, dënoi shpërthimet nacionaliste, duke theksuar se thirrjet erdhën nga një grup i vogël qytetarësh. Nga ana tjetër, LSDM e cilësoi incidentin si një përpjekje për të tensionuar situatën në prag të zgjedhjeve. BDI kërkoi dorëheqjen e zyrtarëve të VLEN-it, ndërsa kjo e fundit u kundërpërgjigj duke përmendur mungesën e përgjegjësisë së BDI-së në raste të ngjashme në të kaluarën.
Ngjarja e së shtunës ka rihapur debatet për racizmin dhe gjuhën e urrejtjes në sport, si dhe për rolin e institucioneve në parandalimin e incidenteve të tilla.