Eksportuesit kinezë rivlerësojnë investimet jashtë vendit për shkak të tarifave amerikane dhe sfidave në zinxhirët e furnizimit

Eksportuesit kinezë po rishikojnë strategjitë e tyre të investimeve në fabrikat jashtë vendit, pas vendosjes së tarifave të reja nga Shtetet e Bashkuara dhe kufizimeve në transport që po prishin zinxhirët e furnizimit në Azi, raporton Financial Times.
Strategjia “Kina plus një”, e cila synonte të zvogëlonte ndikimin e tensioneve tregtare me SHBA-të duke zhvendosur prodhimin në vende të tilla si Vietnami, Kamboxhia dhe Malajzia, po humbet efektivitetin e saj. Shtetet e Bashkuara kanë vendosur tarifa të reja për mallrat që kalojnë përmes këtyre vendeve, që variojnë nga 10% në Singapor deri në 40% në Mianmar dhe Laos, duke ngushtuar përfitimet e zhvendosjes së prodhimit.
Kjo situatë ka krijuar pasiguri për kompanitë kineze. Minyuan Foowear, e cila së fundmi hapi një fabrikë në Kamboxhia, raporton hezitim nga blerësit amerikanë për shkak të frikës nga rritja e mundshme e tarifave. Ndërkaq, agjentët e furnizimeve si Dragon Sourcing thonë se klientët janë më të kujdesshëm dhe presin të shohin saktësisht tarifat para se të bëjnë marrëveshje të reja.
Vendimi i Shtëpisë së Bardhë për të zbatuar tarifën 25% në Meksikë dhe bisedimet tregtare në Stokholm kanë rritur më tej pasigurinë. Kompanitë po analizojnë me kujdes kostot për të vendosur ku të prodhojnë, ndërsa zhvendosja e aktivitetit në vende si Vietnam (me tarifë 20%) po shihet si opsion konkurrues, ndërsa Indonezia nuk ofron përfitime të mëdha.
Kufizimet në transport nënkuptojnë se shumë prodhues duhet të zhvendosin pjesën më të madhe të prodhimit jashtë Kinës për të shmangur tarifat, duke rritur kostot operative dhe duke krijuar presion për uljen e çmimeve nga furnizuesit.
Megjithatë, disa sektorë si prodhimi i tekstileve dhe copave luksoze vazhdojnë të mbeten në Kinë, për shkak të kapaciteteve teknologjike të avancuara që vendi ofron.
Kompani që më parë rezistonin largimit nga Kina po kuptojnë tani se kostot shtesë të zhvendosjes, përfshirë ato mjedisore, tarifat dhe logjistikën, janë të larta. Për ta, vlerësimi i diferencës së tarifave do të përcaktojë nëse do të vazhdojnë prodhimin në Kinë apo do të kërkojnë alternativa jashtë vendit.