Kosova
Kryesore

“SBASHK bashkohet në protestën për UÇK-në: Më 7 gusht, zëri i arsimit në përkrahje të të burgosurve në Hagë”

Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës e Kosovës (SBASHK) ka njoftuar se të gjithë anëtarët e saj, nga çerdhet e deri në nivelin universitar, do të jenë pjesë e protestës madhështore paqësore të thirrur nga organizatat e dala nga lufta e lavdishme e UÇK-së.

Protesta do të mbahet më 7 gusht, nga ora 17:00, në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, ku pritet të dëgjohet “zëri i fuqishëm” i qytetarëve dhe punëtorëve të arsimit, në përkrahje të ish-pjesëtarëve të UÇK-së që po mbahen në paraburgim në Hagë.

Në njoftimin e SBASHK-ut thuhet se pjesëmarrja masive e punëtorëve të arsimit, shkencës dhe kulturës është një mesazh i qartë se sakrifica nuk harrohet.

“Falë atyre që sot padrejtësisht ndodhen në qeli, ne sot gëzojmë lirinë, ecim të lirë në shtetin tonë dhe edukojmë brezat për atdhedashuri e drejtësi”, thuhet në komunikatë.

SBASHK-u thekson se me këtë pjesëmarrje po ngre zërin për drejtësi, për liri dhe për ata që sakrifikuan gjithçka për të ardhmen tonë.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button