Pritje madhështore për Sali Berishën në Dibër, demokratët e presin me kortezh automjetesh në Rrugën e Arbrit

Teksa Partia Demokratike pritet të zhvillojë takimin elektoral në Qarkun e Dibrës për zgjedhjet parlamentare të 11 majit, qytetarët dibranë i kanë rezervuar një pritje mbresëlënëse liderit të së djathtës, Sali Berisha.
Qindra demokratë dhe simpatizantë janë rreshtuar përgjatë Rrugës së Arbrit me një varg të gjatë automjetesh, disa prej të cilëve të zbukuruara me flamuj të PD-së dhe flamurin kombëtar. Ata janë mbledhur që në orët e para të mëngjesit për të shoqëruar Berishën drejt vendit ku do të mbahet takimi, dy orë përpara nisjes zyrtare në orën 11:00.
Pjesë e kësaj pritjeje janë bërë edhe të rinj të shumtë, të cilët me entuziazëm kanë përshëndetur kalimtarët dhe kanë dhënë përshëndetjen karakteristike demokrate, duke krijuar një atmosferë festive dhe emocionuese.
Sipas njoftimit zyrtar nga Zyra e Shtypit pranë PD-së, “në ora 11:00, Kryetari i PD, Prof. Dr. Sali Berisha, prezanton kandidatët e ‘PD-Aleanca për Shqipërinë Madhështore’ për qarkun Dibër”, në kuadër të fushatës zgjedhore që po zhvillohet në të gjithë vendin.