Presidentja Osmani pret zyrtarin e lartë të Pentagonit, David A. Baker

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, do të presë sot në takim Zëvendësndihmës Sekretarin e Mbrojtjes të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, David A. Baker, i cili ndodhet për vizitë zyrtare në vendin tonë.
Takimi mes Presidentes Osmani dhe zyrtarit amerikan do të mbahet në orën 15:00 në Presidencë, ku mediat do të kenë mundësi të marrin pamje në fillim të takimit, sipas njoftimit zyrtar të Presidencës.
Vizita e Baker në Kosovë u bë e ditur dje nga Ambasada e SHBA-së në Prishtinë, e cila konfirmoi se ai është pritur nga e ngarkuara me punë, Anu Prattipati, dhe se do të zhvillojë takime me udhëheqës të lartë institucionalë të Kosovës.
Temë qendrore e takimeve do të jetë forcimi i bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes ndërmjet dy vendeve.
Pas takimit në Presidencë, Baker do të pritet edhe nga ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci. Takimi do të zhvillohet në Ministrinë e Mbrojtjes, duke filluar nga ora 16:00, dhe do të pasohet me një ceremoni zyrtare.