Paradat ushtarake në Beograd dhe Zagreb nxisin tensione të reja: “Gara e armatimit” mes Serbisë dhe Kroacisë vazhdon

Kroacia organizoi paradën e saj ushtarake më 31 korrik, në kuadër të 30-vjetorit të operacionit “Stuhia” (Oluja), një datë e rëndësishme në kujtesën kombëtare kroate. Por paralelisht me këtë përkujtim, në Serbi pritet një paradë ushtarake më 20 shtator, e cila po kritikohet ashpër që në fazën përgatitore, ndërkohë që ka shtuar debatet për një garë të re të armatimit mes dy vendeve fqinje.
Presidenti serb Aleksandar Vuçiq ka përsëritur shpesh se Serbia është “fuqia më e madhe ushtarake në rajon” dhe e ka lidhur çdo blerje të re të armatimeve me nevojën për të rivalizuar Kroacinë. Por kritikët në Beograd e shohin paradën e ardhshme jo si reagim ndaj Zagrebit, por si një mjet për të kontrolluar narrativën e brendshme dhe për të forcuar pushtetin mes protestave dhe pakënaqësive të fundit.
“Caciland” më i rëndësishëm se ushtria?
Polemikat rreth paradës së Beogradit janë ndezur edhe nga vendimi për zhvendosjen e ceremonisë së promovimit të oficerëve të rinj nga qendra e qytetit në kazermat e Banjicës – për shkak të tubimit të madh të mbështetësve të Vuçiqit në atë që ndryshe quhet “Ćacilend”. Kjo konsiderohet nga opozita si një poshtërim për ushtrinë dhe një tregues se për presidentin serb, propaganda politike ka më shumë peshë sesa institucionet shtetërore.
“Është një sinjal se Vuçiq dëshiron të shpallë fitoren ndaj protestave të brendshme dhe të tregojë se është më i fortë se ‘revolucioni me ngjyra’”, thotë analisti ushtarak Aleksandar Radiq për DW.
Modernizim i ushtrive apo ringjallje e urrejtjes?
Të dy vendet po vazhdojnë me modernizimin e forcave të tyre të armatosura. Kroacia, si anëtare e NATO-s, ka akses në armatim të standardeve perëndimore, ndërsa Serbia përpiqet të balancojë me armë nga Rusia, Kina dhe Franca, pavarësisht kufizimeve teknike dhe strategjike që sjell kjo përzierje.
Sipas Radiq, kjo garë e armatimit nuk ka vetëm qëllime praktike: “Beogradi dhe Zagrebi kanë gjetur një mënyrë për të mbajtur gjallë intolerancën dhe urrejtjen, edhe 30 vjet pas tragjedisë së ‘Stuhisë’.”
Gazetari Davor Lukaç e përshkruan gjithë këtë si një farsë propagandistike. “Paradat nuk janë një kërcënim real, por një teatër për publikun vendas. Serbia nuk përbën rrezik për Kroacinë, por kjo retorikë ruan tensionet dhe mobilizon votuesit nacionalistë,” thotë ai.
Kroacia, “fajtorja ideale” për Vuçiqin
Gjatë muajve të fundit të protestave në Serbi, Kroacia është përmendur si një nga mbështetëset e “revolucionit me ngjyra”. Edhe pse nuk ka prova konkrete, ajo është i vetmi vend i përmendur me emër, ndërsa akuzat ndaj vendeve të tjera perëndimore janë lënë në nivel të përgjithshëm.
“Kjo nuk është rastësi. Refugjatët nga Krajina dhe qarqet nacionaliste janë ende një bazë e rëndësishme elektorale për Vuçiqin,” thekson Lukaç. “Edhe pas tri dekadash, trauma e luftës dhe ndjenjat e hakmarrjes përdoren për të mbajtur gjallë frikën dhe përçarjen.”
Sipas analistëve, kjo situatë dëshmon për një cikël të vazhdueshëm manipulimi historik dhe shfrytëzimi të ndjenjave nacionaliste – më shumë për përfitime të brendshme politike sesa për ndonjë kërcënim real ushtarak.