Sport

E ardhmja e ter Stegen pezull: Barcelona pret miratimin e tij për të regjistruar Joan Garcian

E ardhmja e Marc-André ter Stegen po shkakton debat të madh brenda Barcelonës, me klubin që ndodhet në një udhëkryq për shkak të dëmtimit të portierit gjerman dhe nevojës për të regjistruar pasuesin e tij të mundshëm, Joan Garcia.

33-vjeçari, që iu nënshtrua një operacioni në shpinë, duhet të japë miratimin për ndarjen e raportit mjekësor me La Liga-n. Vetëm pas kësaj, Barcelona mund të aktivizojë rregullin e emergjencës për dëmtimet, që do t’i lejonte klubit të përdorë 50% të hapësirës së kufirit të pagave për të regjistruar Garcian.

Fillimisht, ter Stegen kishte deklaruar se rikuperimi do të zgjaste vetëm tre muaj, por raporti i kirurges Amelie Leglise – e cila kreu ndërhyrjen – konfirmon se rikuperimi do të zgjasë katër muaj ose më shumë, duke përmbushur kështu kriterin për të përfituar nga rregulli i emergjencës.

Barcelona kishte shpresuar ta largonte ter Stegen këtë verë për të ulur barrën financiare, por operacioni i prishte planet, ndërsa tani klubi përpiqet të gjejë një zgjidhje të përkohshme dhe ligjore për situatën në portë.

Drejtori i futbollit, Deco, pritet të zhvillojë bisedime me ter Stegen sapo të përfundojë turneu parasezonal në Azinë Juglindore. Sipas të përditshmes Sport, qëllimi i klubit është të shmangë tensionet dhe të arrijë një marrëveshje të qetë me portierin gjerman, duke i garantuar atij se kapitenia nuk është në rrezik, pavarësisht spekulimeve të fundit.

Barcelona ka besim se ter Stegen do të japë miratimin për këtë hap, çka do t’i mundësonte klubit të regjistronte Garcian dhe të përballonte krizën momentale në portë.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button