
Të dashur vëllezër e motra në Krishtin,meshtarë, rregulltarë e rregulltare, si dhe ju të gjithë vullnetmirët,që kërkoni paqen dhe dritën në këtë kohë të errët e pa shpresë!
Me gëzimin e Pashkëve, me besimin në të Ngjallurin dhe me shpresën e lume, vij sërish t’ju uroj festën më të madhe të besimit tonë: Pashkët e Zotit tonë Jezu Krisht, që na mbushin me dashuri, shpresë dhe gëzim.
Shkëlqimi i Ngjalljes së Jezusit bën që dhembshuria e dashurisë hyjnore të shpërthejë në një gëzim të mbushur me jetë. Ankthi i mundimeve të Krishtit shndërrohet në shprehjen më të lartë të dashurisë së Hyjit për ne. Rrezet e shpresës, që burojnë nga terri i vdekjes mbi Kryq, bëhen dritë e vërtetë, që na siguron se Zoti ynë nuk është Zot i të vdekurve, por i të gjallëve.
Edhe pse kjo Pashkë na gjen në një botë të përgjakur, në një Europë të përçarë dhe në një Kosovë që rënkon nën barrën e papërgjegjësisë politike, pasigurisë për të ardhmen dhe ndarjeve të panevojshme, jemi të ftuar të ruajmë qetësinë e shpirtit, shkëlqimin e shpresës dhe ngushëllimin e fesë. Sepse ne, që kemi besuar në Krishtin e Ngjallur, jemi të thirrur të bëhemi forca që i qëndron kohës, sado e vështirë të jetë ajo.
Sot, kur bota na mban nën ankthin e pasigurisë, nën trysninë për t’iu nënshtruar vullnetit të të fuqishmëve, dhe kur lakmia për pasuri bën që zemrat e shumëve të vuajnë nën peshën e padrejtësisë; kur shpresat janë të mpira dhe jetët e të pafajshmëve në rrezik, ndërsa rruga drejt së nesërmes duket gjithnjë më e errët – atëherë fjala e Engjëllit pranë varrit të zbrazët tingëllon shpresëdhënëse dhe e guximshme: Mos kini frikë… Është ngjallur! (khs. Lk 24,5-6) dhe merr kuptimin e vet të plotë hyjnor.
Pashkët nuk janë thjesht një datë kalendarike apo një zakon që përsëritet çdo vit, por një ngjarje e gjallë në jetët tona, që trondit rendin e zakonshëm të kësaj bote. Janë përmbysje e logjikës njerëzore dhe rilindje e përditshme që buron nga pagëzimi me ujë e Shpirt Shenjt. Pashkët na ndryshojmë nga brenda, për të qenë të qëndrueshëm përballë sfidave që vijnë nga jashtë.
Në mënyrë që brengat njerëzore, plagët e jetës dhe padrejtësitë e botës nuk e shuajnë dot gëzimin, lumturinë dhe shpresën në ne. Sepse, i Ngjalluri, me Shpirtin e Tij Hyjnor, na ka dhënë forcën t’i përgjigjemi urrejtjes me dashuri, të përballojmë vuajtjet e trupit pa lënduar gëzimin e shpirtit, dhe padrejtësive t’u përgjigjemi me lutjen e të Kryqëzuarit: “Fali, o Atë!” (Lk23,34), pasi vetëm kështu mund t’i mbetemi besnikë ndaj së vërtetës deri në vdekje, me besimin se, me të Ngjallurin, ne nuk vdesim, por jetojmë për amshim.
Kjo nuk do të thotë të heshtim përballë së keqes, por ta përballojmë atë me dashuri, ta sfidojmë me forcën e së vërtetës, dhe çështjen tonë – si edhe kohën tonë – t’ia besojmë Zotit. Sepse kështu i ka hije bijve të Dritës, të rilindur përmes Pagëzimit.
Lus Zotin që kjo Pashkë të bëhet për të gjithë një fillim i ri, ku paqja dhe pajtimi ndërmjet nesh, me të tjerët dhe në mbarë botën, të bëhen qëllimi ynë i përbashkët. Sidomos për ata që mbajnë përgjegjësi shoqërore, politike dhe ushtarake, të cilët janë të thirrur të çlirohen nga urrejtja, cinizmi dhe mentaliteti i vetë-mjaftueshmërisë – pa marrë parasysh nëse janë besimtarë apo jo.
Sepse jemi të bindur se çdo njeri e di dhe e pranon: paqja është më e dobishme se lufta, dashuria është më e fuqishme se urrejtja, dhe jeta është më e fortë se vdekja.
Ne lutemi, edhe pse e dimë se nuk mund ta ndryshojmë gjithë botën – por mund ta ndryshojmë veten tonë dhe mënyrën si ecim në këtë botë – dhe kjo mjafton që të bëhemi rrezatim i Atij që i ndryshon zemrat, i shenjtëron kohët dhe e shpëton njeriun nga vdekja – duke u bërë shenjë e gjallë e pranisë së Krishtit të Ngjallur në mesin tonë.
Me këto lutje të zemrës, ju uroj që Pashkët e Krishtit të Ngjallur t’ju mbushin zemrat me dashuri, shpresë dhe gëzim të vërtetë.
U ngjall, ashtu si pati thënë. Aleluja!
✠ Dodë Gjergji
Ipeshkëv