Policia njofton masat e sigurimit dhe bllokimet rrugore për Samitin e Komunitetit Politik Europian në Tiranë

Policia e Shtetit ka njoftuar planin e masave të sigurimit dhe bllokimet rrugore që do të vlejnë gjatë organizimit të Samitit të Komunitetit Politik Europian, që po zhvillohet në Tiranë. Masat janë marrë për garantimin e rrjedhshmërisë dhe sigurisë së lëvizjes së delegacioneve ndërkombëtare që vijnë për ngjarjen.
Sipas njoftimit zyrtar, më 15 dhe 16 maj 2025 do të ketë bllokime të plota të lëvizjes së automjeteve në disa akse kryesore rrugore, të cilat përfshijnë rrugën nga Aeroporti “Nënë Tereza” Rinas, autostradën “Durrës-Tiranë” dhe rrugët qendrore të Tiranës, përfshirë Sheshin “Skënderbej”, rrugën “George W. Bush”, “28 Nëntori”, “Dibrës”, dhe “Urani Pano”. Bllokimet do të jenë aktive në intervale të caktuara kohore gjatë ditëve të samitit dhe do të shtrihen në të dyja krahët e rrugëve gjatë kalimit të delegacioneve.
Orari i bllokimeve:
Më 15 maj 2025, nga ora 08:00 deri në 24:00;
Më 16 maj 2025, nga ora 06:30 deri në 11:30 dhe nga ora 13:00 deri në 18:00.
Gjithashtu, do të ndalohet parkimi dhe qëndrimi i mjeteve në zona të caktuara pranë zonave të aktiviteteve të samitit, përfshirë parkimet VIP në Rinas dhe parkimet nëntokësore në qendër të Tiranës.
Policia apelon qytetarët dhe drejtuesit e automjeteve që të shmangin lëvizjen me mjete personale drejt aeroportit “Nënë Tereza” gjatë këtyre ditëve dhe të përdorin rrugët alternative që do të jenë të sinjalizuara. Po ashtu, do të ketë devijime të trafikut për hyrje-daljet në disa zona të qytetit dhe shërbime të transportit publik do të përshtaten sipas situatës.
Rrugët alternative për qarkullim:
Për Rinas: rrugët dytësore të autostradës “Tiranë-Qafë Kashar-Rinas” dhe Unaza Veriore;
Për zonën e Astirit: nënkalimi i “Pallatit me shigjeta” dhe mbikalimet përreth;
Për zonën e “Studentit”: daljet në bulevardin “Bajram Curri” në drejtim të Brylit;
Akses në spitalin “Shefqet Ndroqi” do të ketë me devijime sipas orarit.
Policia e Shtetit paralajmëron se mjetet që do të bllokojnë rrugët dhe parkimet e ndaluara do të largohen me karrotrec, ndërsa drejtuesit e tyre do të përballen me masa administrative.
Qytetarët këshillohen të respektojnë sinjalistikën dhe udhëzimet e punonjësve të policisë për të shmangur vështirësitë në qarkullim dhe për të garantuar mbarëvajtjen e këtij eventi ndërkombëtar.