Lajme
Kryesore

Numërimi në Tiranë drejt fundit: PS dominon me 19 mandate, surpriza në listat e hapura – emrat që mbeten jashtë

Procesi i numërimit të votave preferenciale në Tiranë dhe i votave të diasporës vijon, ndërsa Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë të ditur se deri në orën 09:00 të mëngjesit të sotëm janë numëruar 815 nga 1282 kuti votimi në kryeqytet.

Partia Socialiste deri tani ka siguruar 19 mandate në Tiranë. Nga këto, 12 janë nga lista e mbyllur, ndërsa 7 janë fituar nga kandidatët më të votuar në listën e hapur. Blendi Gonxhja kryeson listën me më shumë vota preferenciale, i ndjekur nga ministri i Brendshëm, Ervin Hoxhaj, dhe Fatmir Xhafaj. Mes shtatë më të votuarve renditen gjithashtu Erion Braçe, Anila Denaj dhe Kejsi Elezi.

Ndërkaq, disa emra të njohur të PS-së kanë mbetur jashtë listës fituese për shkak të renditjes dhe rregullave të kuotës gjinore. Pandeli Majko, Mimi Kodheli, Olta Xhaçka, Etilda Gjonaj dhe Xhemal Qefalia nuk do të jenë pjesë e legjislaturës së ardhshme, pavarësisht se ky i fundit ka marrë 5,674 vota.

Partia Demokratike ka siguruar deri tani 13 mandate në Tiranë, nga të cilat vetëm një ka shkuar për një kandidat nga lista e hapur. Jorida Tabaku është më e votuara, duke lënë pas Ilir Alimehmetin me afro 1 mijë vota më shumë. Jashtë mbeten figura të tjera të njohura të spektrit opozitar si Ilir Meta, Shpëtim Idrizi, Myslym Murrizi dhe Asllan Dogjani.

Sa i përket partive më të vogla, “Mundësia” do të përfaqësohet në Kuvend nga Agron Shehaj dhe Erald Kapri. Nga “Nisma Shqipëria Bëhet”, në Kuvend do të shkojë Adriatik Lapaj, i cili ka marrë më shumë vota se bashkëthemeluesi i lëvizjes, Endri Shabani.

Ndërsa “Lëvizja Bashkë” nuk do të ketë përfaqësim në Kuvend, pasi Redi Muçi ka dalë i pari në listë, duke lënë jashtë Arlind Qorin. Nga ana tjetër, Partia Socialdemokrate do të përfaqësohet nga e para e listës së mbyllur, Albana Pëllumbi.

Procesi i numërimit pritet të përfundojë brenda orëve në vijim, ndërsa rezultatet finale mund të sjellin edhe lëvizje të tjera në renditjen e kandidatëve fitues.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button