Përplasje në Bulqizë – Reagon kandidati i PD-së, Përparim Spahiu: Dhuna është e papranueshme, fitorja do të vijë me votë dhe dinjitet

Kandidati për deputet i “PD – Aleanca për Shqipërinë Madhështore” në qarkun e Dibrës, Përparim Spahiu, ka reaguar pas një ngjarjeje të rëndë të ndodhur në Bulqizë, ku babai i kandidatit të Partisë Socialiste ka ushtruar dhunë fizike ndaj kryetarit të degës lokale të PD-së, Shaqir Manjani.
Në një postim në Facebook, Spahiu e ka cilësuar këtë akt si “shembullin më të keq dhe më të papranueshëm që mund t’i jepet një djali nga prindi i tij”. Ai thekson se dhuna nuk ka vend në një fushatë zgjedhore dhe se, gjatë 12 viteve të angazhimit të tij në politikë, nuk ka përdorur kurrë dhunën si mjet për të fituar mbështetje.
“Shfaqjet e dhunës në Ostren nuk kanë asnjë lidhje me mënyrën se si duhet bërë fushatë, jo vetëm aty, por kudo,” shkruan Spahiu, duke përgëzuar gjithashtu reagimin e Shaqir Manjanit, i cili ka ndjekur rrugën ligjore përmes denoncimit pranë autoriteteve.
Ai i ka bërë thirrje Prokurorisë së Posaçme (SPAK) që të ndërhyjë menjëherë dhe të trajtojë çështjen me drejtësi, duke dhënë një mesazh të qartë se dhuna nuk tolerohet dhe hetimi i rasteve të tilla është kompetencë e institucioneve përkatëse.
Në përmbyllje, Spahiu është shprehur i bindur për fitoren e Partisë Demokratike në Bulqizë, të cilën, sipas tij, do ta sjellë vota e qytetarëve që kërkojnë ndryshim dhe dinjitet: “Fitorja jonë është e sigurt sepse është ndërtuar mbi punë, respekt dhe besim.”