Lajme
Kryesore

Presidenti Begaj dhe përfaqësues nga Shqipëria e Kosova në Vatikan për homazhet ndaj Papa Françeskut

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, së bashku me bashkëshorten e tij Amanda Begaj, kanë mbërritur të premten, më 25 prill 2025, në Vatikan për të marrë pjesë në homazhet në nderim të Papa Françeskut. Sot, ata do të jenë të pranishëm në ceremoninë mortore të kreut të Kishës Katolike.

Në rrjetet sociale, Presidenti Begaj publikoi një foto ku shfaqet në shoqërinë e kardinalit shqiptar Ernest Simoni, presidentes së Kosovës Vjosa Osmani, si dhe krerëve fetarë nga Shqipëria: Kryepeshkopit të Kishës Katolike Arjan Dodaj, Kryetarit të Komunitetit Mysliman Bujar Spahiu, Kryegjyshit të Bektashinjve Haxhi Dede Edmond Brahimaj dhe Kryepeshkopit të Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, Joanit.

“Nderojmë kujtimin e Shenjtërisë së Tij, që na la një trashëgimi shpirtërore dhe morale për ruajtjen e dinjitetit njerëzor dhe të jetësojmë vizionin e tij për drejtësinë, solidaritetin dhe paqen,” – shkroi Begaj në postimin e tij.

Mijëra besimtarë dhe mbi 170 delegacione nga e gjithë bota pritet të mblidhen të shtunën, më 26 prill, në orën 10:00, për funeralin e Papa Françeskut që do të mbahet para Bazilikës së Shën Pjetrit në Vatikan. Ceremonia parashikohet të jetë një nga ngjarjet më të mëdha shtetërore dhe fetare të dekadës, me praninë e krerëve të shteteve, qeverive dhe liderëve shpirtërorë.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button