Përparim Spahiu denoncon: Banorët e Radoveshit detyrohen të përshkojnë 23 km për të votuar – shkelje e Kodit Zgjedhor?

Kandidati për deputet i opozitës në Qarkun e Dibrës, Përparim Spahiu, ka ngritur akuza të forta ndaj pushtetit vendor në Bulqizë, lidhur me organizimin e qendrave të votimit për banorët e zonës së Radoveshit. Në një postim në faqen e tij zyrtare në Facebook, Spahiu ka denoncuar faktin se këta banorë po detyrohen të udhëtojnë plot 23 kilometra në një rrugë të dëmtuar për të votuar në Ostrenin e Vogël, ndërkohë që qendra më e afërt e votimit, në Ostrenin e Madh, ndodhet vetëm 4.9 kilometra larg.
“Përse duhet që banorët e Radoveshit të përballen me një udhëtim të tillë të lodhshëm, kur ka një qendër votimi shumë më pranë tyre?”, pyet Spahiu në reagimin e tij. Ai nënvizon se ky vendim mund të përbëjë një formë presioni apo dekurajimi për qytetarët që duan të ushtrojnë të drejtën e votës.
“P.S. Kodi Zgjedhor e përcakton qartë: askush nuk duhet të detyrohet të votojë më larg se 5 km nga vendbanimi i tij,” përfundon Spahiu postimin, duke kërkuar nga kryetarja e Bashkisë së Bulqizës një përgjigje të arsyeshme për këtë situatë.
Ky shqetësim ngre pikëpyetje mbi organizimin e procesit zgjedhor dhe mund të kthehet në një çështje më të gjerë për institucionet përgjegjëse në garantimin e votës së lirë dhe të ndershme.