Lajme
Kryesore

Policia e Korçës godet një grup të trafikut të drogës në operacionin “Shufrat”, dy të arrestuar dhe dy në kërkim

Policia e Korçës ka finalizuar me sukses fazën e dytë të operacionit të koduar “Shufrat”, duke goditur një rrjet kriminal të përfshirë në trafikimin e lëndëve narkotike. Pas një hetimi 6-mujor, të zhvilluar me metoda proaktive nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve në DVP Korçë, nën drejtimin e Prokurorisë së Korçës, janë dokumentuar aktivitetet kriminale të katër shtetasve.

Në kuadër të operacionit janë ekzekutuar masat e sigurisë ndaj dy të dyshuarve: E. M., 38 vjeç, banues në Tiranë, dhe I. O., 62 vjeç, banues në Durrës. Të dy janë arrestuar dhe janë dërguar në burg, me akuzën e “trafikimit të narkotikëve, kryer në bashkëpunim”.

Ndërkohë, janë shpallur në kërkim edhe dy shtetas të tjerë: F. K., 39 vjeç, banues në Tiranë, dhe E. O., 24 vjeç, banues në Durrës, për të cilët Gjykata ka caktuar masën e sigurisë “arrest në burg”.

Sipas hetimeve, këta persona ishin pjesë e një grupi që tentoi të trafikonte 56 kilogramë cannabis sativa, të fshehura në 44 shufra metalike të montuara në tavanin e një kamioni me destinacion Greqinë.

Gjithashtu, në kuadër të këtij operacioni, është marrë masa disiplinore ndaj një punonjësi të DPSHTRR-së, A. H., 63 vjeç, banues në Tiranë, i cili është pezulluar nga detyra. Ai dyshohet se ka shpërdoruar detyrën duke ndryshuar targat dhe pronësinë e automjeteve të përfshira në këtë aktivitet të paligjshëm.

Një automjet i dyshuar si i përdorur për trafikim droge është sekuestruar nga policia.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme ligjore.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Kontrolloni gjithashtu
Close
Back to top button