Kryesore

Përkujtohet 19 korriku në Rahovec – një plagë e hapur në kujtesën kolektive

Më 19 korrik 1998, Rahoveci përjetoi një nga ngjarjet më të rënda gjatë luftës në Kosovë, kur forcat ushtarake, policore dhe paramilitare serbe ndërmorën një ofensivë të përgjakshme ndaj popullsisë civile shqiptare.

Sipas dëshmive dhe të dhënave të dokumentuara, gjatë sulmit u vranë 150 civilë shqiptarë, ndër ta shumë gra, fëmijë dhe të moshuar. Shumë prej tyre kishin kërkuar strehim në Teqenë e Sheh Myhedinit, e cila u shndërrua në një vend masakre.

Në vendin e njohur si “Tuba” u gjetën të masakruar dy profesorë, ndërsa gjashtë trupa të tjerë u gjetën tërësisht të karbonizuar. Dëshmitarët që i shpëtuan ofensivës rrëfejnë se civilët u ekzekutuan në mënyrë arbitrare nga forcat serbe, ndërkohë që shumë të tjerë u rrëmbyen dhe u zhdukën pa gjurmë.

Pas tre ditësh, më 22 korrik, autoritetet serbe në Prizren hapën dy gropa të mëdha në varrezat e qytetit dhe varrosën trupat e shqiptarëve të vrarë gjatë ofensivës në Rahovec.

Kjo ngjarje mbetet një nga dëshmitë më të rënda të dhunës së ushtruar ndaj popullatës civile shqiptare dhe përkujtohet çdo vit si një simbol i vuajtjes, qëndresës dhe kërkesës për drejtësi. /KosovaPress/

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button