Kosova

Arrestohet zyrtari serb Igor Popoviq për fyerje ndaj UÇK-së – Sveçla: Kosova nuk lejon përdhosje të historisë

Policia e Kosovës ka arrestuar të premten Igor Popoviqin, ndihmësdrejtor i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, nën dyshimin për “nxitje të përçarjes dhe mosdurimit”. Arrestimi ndodhi në pikën kufitare të Bërnjakut pas një fjalimi të mbajtur nga Popoviq në fshatin Hoqë e Madhe të Rahovecit, ku kishte cilësuar Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës si organizatë terroriste.

Sipas raportit 24-orësh të Policisë, Popoviq e kishte krahasuar luftën e UÇK-së me ngjarje të rënda ndërkombëtare, deklarata që u konsideruan fyese dhe nxitëse të urrejtjes. Gjatë arrestimit, atij iu sekuestruan përkohësisht dy telefona celularë si prova materiale, ndërsa pas intervistimit nga hetuesit është dërguar në mbajtje me vendim të prokurorit.

Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, e konfirmoi ndalimin, duke theksuar se Kosova si shtet sovran dhe demokratik nuk do të lejojë fyerjen dhe përdhosjen e historisë së saj. “Lufta e udhëhequr nga UÇK-ja është pjesë e lavdishme e historisë sonë dhe gëzon respektin e gjithë botës përparimtare”, theksoi Sveçla.

Nga ana tjetër, reagim të ashpër dha drejtori i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, i cili tha se ka njoftuar Brukselin për arrestimin dhe kërkoi lirimin e menjëhershëm të Popoviqit. Përmes një postimi në platformën X, Petkoviq e akuzoi kryeministrin Albin Kurti për veprime politike dhe tha se “prangat nuk do ta fshehin të vërtetën për krimet e UÇK-së”.

Ngjarja vjen në një periudhë të tensionuar të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, teksa autoritetet kosovare theksojnë se do të veprojnë me forcën e ligjit ndaj çdo deklarate që synon të nxisë urrejtje, të fyejë sakrificën e popullit shqiptar apo të mohojë historinë e Kosovës.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button