
Partia Demokratike ka dorëzuar një kallëzim penal të zgjeruar ndaj kryeministrit Edi Rama në lidhje me aferën korruptive të “Eco Park” në Porto Romano. Lajmin e ka bërë të ditur zëdhënësja e Antikorrupsionit në PD, Genta Vangjeli, e cila në një deklaratë për mediat tha se kallëzimit fillestar të bërë më 18 mars 2024 i janë shtuar fakte të reja që implikojnë më tej kreun e qeverisë.
Sipas PD, Rama ka qenë i përfshirë në një plan të mirorganizuar korruptiv në bashkëpunim me kompaninë koncesionare të inceneratorit të Tiranës, “Integrated Energy bv SPV”. Sipas dokumenteve të siguruara, gjashtë muaj përpara se të hapej zyrtarisht procedura e tenderimit për “Mbylljen e vendepozitimit ekzistues të mbetjeve të ngurta EKO-Park Durrës”, është kontraktuar arkitekti Jesus Hernandez nga kompania “Casanova Hernandez” për projektimin e investimit.
Më 2 dhjetor 2019, Ministria e Financave kërkoi anulimin e procedurës për shkak të ridestinimit të fondeve pas tërmetit të 26 nëntorit. Megjithatë, në të njëjtën ditë, Edi Rama, në cilësinë e Kryetarit të Komitetit të Emergjencave, urdhëroi që mbetjet inerte të tërmetit të depozitoheshin në Porto Romano dhe procedura e tenderit të rihapej me procedurë të përshpejtuar.
Kontrata për ndërtimin e “Eco Park” u lidh më 27 dhjetor 2019 me kompanitë “De Mare srl” dhe “Victoria Invest”. Ndërkohë, një video e transmetuar nga Syri TV datë 7 dhjetor 2019 shfaq kryeministrin Rama duke vizituar kantierin në Porto Romano dhe duke urdhëruar fillimin e punimeve për projektin që ende nuk kishte kaluar procesin zyrtar të tenderimit.
Në video, Rama komunikon me Elton Buallin, drejtues i kompanisë së inceneratorit të Tiranës, duke lënë të kuptohet një bashkëpunim të parakohshëm me përfituesin e projektit. Rama kërkon që “Eco Park” të përfundojë deri më 1 qershor 2021.
Për më tepër, PD thekson se në një dosje tjetër të SPAK për çështjen Veliaj-Xoxa, është publikuar një komunikim ku përmendet emri Jesus Hernandez Mayor, një nga pronarët e “Casanova Hernandez Architects”, kompani e cila ka realizuar 21 projekte të mëdha në Shqipëri dhe ka përfituar rreth 949 mijë euro nga fondet publike. Një prej këtyre projekteve është edhe “Eco Park Durrës”.
Drejtuesi politik i PD në qarkun Durrës, Oerd Bylykbashi, ka bërë thirrje që SPAK të thellojë hetimet dhe të zbardhë përgjegjësitë, ndërsa partia thekson se pas aferës që i ka kushtuar buxhetit të shtetit 1.9 miliardë lekë qëndron vetë kryeministri Edi Rama.