Katër persona në gjyq për mashtrim dhe fshehje të të ardhurave, dëmtojnë shtetin me mbi 45 milionë lekë

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim katër shtetas të akuzuar për veprat penale “Mashtrimi”, “Fshehje e të ardhurave” dhe “Moskallëzim i krimit”, në kuadër të procedimit penal nr.1695 të vitit 2024.
Sipas hetimeve, shtetasit S.M., Z.R., E.S. dhe P.K. kanë krijuar tre kompani me qëllim kryerjen e veprimeve fiktive të importit në favor të tregtarëve të ndryshëm, duke shmangur detyrimet tatimore dhe furnizuar tregun me mallra pa faturë tatimore. Kompanitë e regjistruara me të dhënat personale të Z.R., E.S. dhe P.K. kanë funksionuar si të ashtuquajturat “NIPT-e shëtitës”, ndërsa veprimet reale janë kryer nga S.M., i cili ka përfituar në mënyrë të drejtpërdrejtë nga aktiviteti kriminal.
Në dokumentet e prokurorisë theksohet se S.M. ka shfrytëzuar marrëdhënien e besimit me personat e tjerë për të ngritur bizneset në emër të tyre. Fillimisht, këta shtetas kanë vepruar në mirëbesim, por më pas kanë pranuar pagesa mujore dhe kanë bashkëpunuar në këtë skemë mashtrimi.
Gjatë veprimtarisë së paligjshme, subjektet kanë realizuar një qarkullim financiar prej 303,781,520 lekësh, duke manipuluar shpenzimet për të ulur tatim-fitimin dhe duke i shkaktuar shtetit një dëm prej 45,567,228 lekësh.
Prokuroria ka provuar se kjo skemë mashtrimi përmban elementët e veprave penale të parashikuara në nenet 143, 180/25 dhe 300 të Kodit Penal dhe ka dërguar materialet për veprime të mëtejshme në gjykatë. Organet e drejtësisë shprehen të vendosura për të luftuar çdo fenomen që dëmton sistemin tatimor dhe ekonominë kombëtare.