Lajme

“Patronazhistët” rikthejnë hijet e diktaturës – Rama i mbron, qytetarët nën presion për votën

Në rubrikën e tij të përjavshme “Sy më Sy”, kryeministri Edi Rama ka komentuar rolin e patronazhistëve – figura që për shumë shqiptarë rikujtojnë spiunët e kohës së diktaturës, të njohur ndryshe si “fuksat”. Në mënyrë të hapur, ai u referua atyre si individë të fuqishëm dhe të hakmarrës, duke shtuar: “Janë hakmarrës të mëdhenj, mos u kruani me ta. Janë inatçinj, nuk janë si unë.”

Komentet e Ramës vijnë në një moment kur presioni ndaj administratës publike dhe familjarëve të tyre është shtuar ndjeshëm, sidomos në prag të zgjedhjeve të 11 majit. Sipas burimeve të ndryshme, patronazhistët po përdorin metoda të paligjshme për të mbledhur dhe kontrolluar votat në favor të Partisë Socialiste.

Ka denoncime të shumta për hakmarrje politike: punonjës të shkarkuar nga detyra për bindjet e tyre, biznese të rrethuara nga policia për të detyruar votën, si dhe një klimë frike të ushtruar mbi zgjedhësit. Kjo situatë përforcohet edhe nga sjellja e disa ministrave, kryebashkiakëve dhe zyrtarëve të tjerë, të akuzuar për lidhje me krimin, korrupsion dhe abuzim me tendera publikë.

Kryeministri deklaroi se “patronazhistët nuk lënë votë të bjerë në tokë”, duke kërkuar që ata të merren seriozisht. Për kritikët, kjo është një pranim i qartë se këto struktura janë pjesë e një sistemi të mirëorganizuar që shërben jo vetëm për të kontrolluar votën, por edhe për të garantuar vazhdimësinë e një qeverisjeje të akuzuar për vjedhje dhe keqmenaxhim.

Në këtë kontekst, për shumë qytetarë, zgjedhjet e 11 majit shihen si një mundësi për t’u shkëputur nga kjo situatë dhe për të sjellë ndryshimin përmes votës.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button