Kuvendi i Kosovës rifillon sot seancën konstituive – Zgjedhja e kryetarit ende e pasigurt

Kuvendi i Republikës së Kosovës do të mblidhet sot në orën 10:00 për të vijuar me seancën konstituive të Legjislaturës së Nëntë, me synimin për të zgjedhur kryetarin dhe nënkryetarët e Kuvendit – një proces që deri më tani ka dështuar të finalizohet.
Seanca e fundit u mbajt të dielën nën drejtimin e kryesuesit Avni Dehari. Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, propozoi për herë të dytë Albulena Haxhiun për postin e kryetares së Kuvendit. Megjithatë, ajo nuk arriti të sigurojë shumicën e nevojshme të votave: 57 vota për, 41 kundër dhe tri abstenime. Për pasojë, seanca u ndërpre.
Situata është tensionuar nga përplasjet politike mes dy blloqeve kryesore, të cilat fajësojnë njëra-tjetrën për bllokimin e procesit dhe pengimin e formimit të organeve të Kuvendit. Në këtë sfond, mbledhja e sotme shihet si përpjekje vendimtare për të zhbllokuar institucionin më të lartë legjislativ të vendit.