“Ditët e Bujqësisë” rikthehen me fokus tek digjitalizimi dhe eksportet, Vodafone Albania partner kryesor

Për të katërtin vit radhazi, qyteti i Lushnjës mirëpriti Panairin “Ditët e Bujqësisë”, një event tashmë i përvitshëm që bashkon institucionet shtetërore, kompani të mëdha vendase e të huaja dhe aktorë të rëndësishëm të sektorit bujqësor. Edhe këtë vit, partneri kryesor i panairit ishte Vodafone Albania, përmes njësisë së saj Vodafone Business, e cila luan një rol kyç në promovimin e teknologjisë dhe digjitalizimit në bujqësinë shqiptare.
Panairi u përqendrua në nxitjen e eksporteve të produkteve bujqësore vendase, forcimin e bujqësisë së qëndrueshme, rritjen e standardeve të agrobiznesit dhe përfshirjen e teknologjive të reja si zgjidhjet IoT në sektorin bujqësor.
Në ceremoninë zyrtare morën pjesë figura të rëndësishme të qeverisë dhe pushtetit vendor, përfshirë Ministren e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural Anila Denaj, Ministren e Energjisë dhe Infrastrukturës Belinda Balluku, kryetaren e Bashkisë Lushnje Eriselda Sefaj, si dhe përfaqësues të kompanive të mëdha.
Jonida Lakuriqi, Drejtoreshë e Çështjeve Ligjore, Politikave Publike dhe Çështjeve të Jashtme në Vodafone Albania, theksoi: “Digjitalizimi i bujqësisë nuk është më një luks për vendet e zhvilluara, por një domosdoshmëri për të garantuar një sektor bujqësor efikas e të qëndrueshëm edhe në Shqipëri. Përmes teknologjive inovative si IoT, Vodafone Business mbështet transformimin e këtij sektori jetik.”
Vodafone Group Business, lider global në zgjidhjet IoT dhe i vlerësuar nga Gartner Magic Quadrant™, i shërben aktualisht mbi 2,000 agrobizneseve në 12 vende të botës. Në Shqipëri, Vodafone Business ofron shërbime të avancuara si Vodafone SmartAgro, IoT Connectivity dhe Smart Fleet, të cilat ndihmojnë në automatizimin e proceseve bujqësore, monitorimin në kohë reale dhe reduktimin e kostove.
Me një qasje të integruar dhe të orientuar nga e ardhmja, Vodafone Albania mbetet partneri më i besueshëm për dixhitalizimin e bujqësisë shqiptare. Përmes bashkëpunimit me institucionet dhe agrobizneset, synohet ndërtimi i një sektori bujqësor më të fortë, konkurrues dhe të qëndrueshëm.