Paradoksi ekonomik në Shqipëri: Rritet turizmi, bie konsumi dhe prodhimi

Shqipëria po përballet me një paradoks të qartë ekonomik: ndërsa qeveria raporton rritje të ndjeshme të sektorit të turizmit, shifrat zyrtare tregojnë një rënie të përgjithshme të konsumit dhe prodhimit vendas.
Sipas të dhënave të publikuara nga Instituti i Statistikave (INSTAT), importet e mallrave në muajin qershor u ulën me 0.2% krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar. Në një analizë më të gjerë, importet për gjashtëmujorin e parë të vitit 2025 rezultojnë 2% më të ulëta krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar – një rënie që përkthehet në rreth 100 milionë euro më pak mallra të importuara.
Rënia e importeve po shoqërohet me ngadalësim të prodhimit vendas, sidomos në sektorët strategjikë të ekonomisë. Në tremujorin e parë të vitit, prodhimi bujqësor u tkurr me 2.76%, ndërsa industria regjistroi një rënie më të thellë prej 5.66%.
Kjo përplasje mes rritjes së fluksit turistik dhe rënies së konsumit e prodhimit po ngre pikëpyetje mbi balancën e zhvillimit ekonomik të vendit. Ekspertët nënvizojnë se rritja e turizmit nuk po përkthehet në rritje të konsumit të përgjithshëm, gjë që tregon për një dobësim të fuqisë blerëse të qytetarëve dhe një tkurrje të aktivitetit ekonomik.
Sipas të dhënave të tregtisë së jashtme, edhe investimet e biznesit janë në rënie, fakt që vërtetohet nga ulja e importeve të makinerive dhe pajisjeve si dhe rënia e importeve të materialeve të ndërtimit – dy tregues që sinjalizojnë ngadalësim të ndjeshëm në sektorin e ndërtimit.
Ndërkohë që turizmi vazhdon të mbetet në fokusin e qeverisë si motor zhvillimi, ekonomia reale po dërgon sinjale qartësisht kontradiktore që kërkojnë një analizë më të thelluar dhe masa të balancuara për të shmangur një krizë të mundshme të konsumit dhe investimeve në muajt në vijim.