Erëra të forta dhe mundësi për rrufe në disa zona të Kosovës – IHMK apelon për kujdes

Në disa zona të Kosovës janë raportuar erëra të forta gjatë ditës së sotme, ndërsa Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës (IHMK) ka paralajmëruar për kushte të paqëndrueshme atmosferike, pavarësisht motit kryesisht me diell dhe vranësira të pakta.
Sipas IHMK-së, vranësirat mund të shoqërohen me riga shiu dhe rrufe të izoluara, veçanërisht gjatë orëve të pasdites. Temperaturat minimale janë regjistruar në intervalin nga 12 deri në 16°C në mëngjes, ndërsa ato maksimale pritet të arrijnë nga 26 deri në 29°C në mesditë.
Era do të fryjë nga drejtimi i verilindjes me intensitet të lehtë deri mesatar, duke arritur shpejtësi nga 1 deri në 9 metra për sekondë.
IHMK ka bërë thirrje për kujdes të shtuar për qytetarët, sidomos për ata që qëndrojnë në ambiente të hapura në zonat ku mund të shfaqen rrufe, duke theksuar rëndësinë e shmangies së qëndrimit nën pemë apo afër objekteve metalike në raste të tillë.