Arrestohet togeri i Policisë së Kosovës për spiunazh – Sekuestrohen dokumente konfidenciale, armë dhe para

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka konfirmuar arrestimin e togerit të Policisë së Kosovës, Bojan Jevtić, nën dyshimet për kryerjen e veprës penale “spiunazh”. Arrestimi u realizua në orët e para të së enjtes në një operacion të përbashkët me Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë (AKI) dhe Inspektoratin Policor të Kosovës (IPK).
Sipas komunikatës zyrtare, i dyshuari është ndaluar për 48 orë, ndërsa gjatë bastisjes në shtëpinë e tij në një fshat të komunës së Kamenicës janë sekuestruar prova materiale të rëndësishme, përfshirë:
- Dokumente konfidenciale të Policisë së Kosovës
- Disa telefona të mençur
- USB
- Një armë e shkurtë dhe municion
- Para të gatshme: 10.000 euro, 2 milionë dinarë serbë dhe 600 franga zvicerane
- Si dhe dëshmi të tjera që pritet të analizohen gjatë fazës hetimore
IPK ka rekomanduar suspendimin e menjëhershëm të Jevtić, i cili mbante pozitën e shefit të operativës në policinë kufitare në pikëkalimin “Dheu i Bardhë”.
Prokuroria Speciale ka bërë të ditur se, brenda afateve ligjore, do të paraqesë në Gjykatën Themelore në Prishtinë kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarit.
Ky është një ndër rastet më të rënda të dyshimeve për shkelje të sigurisë kombëtare brenda strukturave të Policisë së Kosovës, ndërsa autoritetet kanë paralajmëruar hetime të thelluara për të zbardhur të gjitha rrethanat e këtij rasti.