OVL e UÇK-së uron SHBA-në për Ditën e Pavarësisë: “Jemi gjithmonë ushtarë të Amerikës”

Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL e UÇK-së) ka uruar Shtetet e Bashkuara të Amerikës me rastin e Ditës së Pavarësisë, duke shprehur mirënjohje të thellë për rolin historik të SHBA-së në lirinë dhe shtetësinë e Kosovës.
“Në këtë ditë të shënuar për miqtë tanë të përhershëm, Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, shpreh urimet më të përzemërta dhe mirënjohjen e përjetshme për popullin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës,” thuhet në urimin e organizatës.
OVL e UÇK-së theksoi se populli amerikan ka qenë gjithmonë përkrah Kosovës në momentet më të vështira, duke e cilësuar mbështetjen e SHBA-së si vendimtare për lirinë dhe shtetësinë e vendit.
“Roli i SHBA-së mbetet i pazëvendësueshëm për Kosovën. Në këtë ditë të veçantë, u shprehim mirënjohje të veçantë edhe ushtarëve amerikanë që shërbejnë sot në Kosovë, për përkushtimin, profesionalizmin dhe kontributin e tyre të përditshëm për paqe dhe siguri,” thekson më tej komunikata.
Në fund, OVL e UÇK-së shpreh gatishmërinë për të qëndruar përkrah SHBA-së në çdo kohë: “Ne, ish-ushtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, jemi gjithmonë ushtarë të lirisë, dhe në zemrën tonë, jemi gjithmonë ushtarë të Amerikës. Kurdo që nevoja e drejtësisë, paqes apo miqësisë së sinqertë e kërkon, jemi të gatshëm të qëndrojmë përkrah SHBA-së.”