Ousmane Dembele fiton Topin e Artë 2025, polemika nga babai i Lamine Yamalit

Sulmuesi i Paris Saint-Germainit, Ousmane Dembele, është shpallur fitues i Topit të Artë 2025, pas një sezoni fantastik ku shënoi 35 gola dhe dhuroi 16 asistime në të gjitha garat.
Megjithatë, vendimi nuk kaloi pa polemika, kryesisht nga Mounir Nasraoui, babai i talentit të ri Lamine Yamal, i cili shprehu pakënaqësinë e tij ndaj zgjedhjes.
Ish-sulmuesi i Francës, Olivier Giroud, në një intervistë për “L’Equipe”, pranoi se nuk e kishte pritur një arritje të tillë nga Dembele, me të cilin luante në Kombëtaren franceze.
“Nëse do ta shihja atë si një fitues potencial të Topit të Artë? Jo domosdoshmërisht. Për ta fituar këtë çmim, duhet talent dhe një sezon të shkëlqyer në klubin e duhur. Ai i ka të dyja dhe ka fituar gjithçka”, deklaroi Giroud.
Ky çmim vjen si kulmi i një karriere që ka pasur ulje e ngritje, duke konfirmuar Dembele si një nga yjet më të mëdhenj të futbollit francez dhe botëror.



