Kosova

Policia sekuestron armë dhe drogë në disa komuna të Kosovës, disa persona në pranga

Policia e Kosovës ka zhvilluar të martën një sërë aksionesh në terren, ku janë sekuestruar armë dhe substanca narkotike në disa komuna të vendit, përfshirë Prizrenin, Podujevën, Gllogocin, Ferizajn dhe Qendrën Korrektuese në Dubravë. Si rezultat, disa persona janë arrestuar dhe ndaj tyre janë iniciuar procedura penale.

Në Prizren, në rrugën “Adem Jashari”, njësitet policore kanë ndaluar një veturë me dy persona. Tek drejtuesi i automjetit është gjetur dhe sekuestruar një pistoletë, ndërsa tek pasagjeri 0.87 gramë marihuanë. Me vendim të prokurorit, shoferi është dërguar në mbajtje, ndërsa pasagjeri është liruar në procedurë të rregullt.

Në Podujevë është arrestuar një person pasi në oborrin e një shkolle iu gjet një thikë dhe 0.23 gramë marihuanë. Edhe ky i dyshuar, me vendim të prokurorit, është dërguar në mbajtje.

Ndërkohë, në fshatin Kishnarekë të Gllogocit, policia ka arrestuar një të mitur, tek i cili u gjetën 6.1 gramë marihuanë. Ai është ndaluar për 24 orë.

Në Ferizaj, më 22 shtator u sekuestrua një veturë, ndërsa një ditë më pas, gjatë kontrollit të saj, policia zbuloi 3.3 gramë marihuanë dhe një brisk. Hetimet për këtë rast po vazhdojnë.

Kontrolle janë zhvilluar edhe në Qendrën Korrektuese të Dubravës, ku policia ka iniciuar shtatë raste të ndara pasi gjeti sasi të vogla marihuane brenda objektit. Të gjitha këto raste janë në fazën e hetimit.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Kontrolloni gjithashtu
Close
Back to top button