Orav pas dështimit të seancës: Kosovës i duhet një Kuvend dhe një Qeveri e re menjëherë

Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Aivo Orav, ka reaguar pas dështimit të radhës për konstituimin e Kuvendit të Kosovës. Ai tha se bashkë me përfaqësues të tjerë ndërkombëtarë ishin të pranishëm në sallën e Kuvendit me shpresën se do të kishte zhvillime pozitive, por se një gjë e tillë nuk ndodhi.
“Ne erdhëm me shpresë të madhe këtu dhe, fatkeqësisht, asgjë nuk ndodhi sërish,” u shpreh Orav para mediave.
Ai theksoi se krijimi i institucioneve është i domosdoshëm dhe urgjent për vendin, duke shtuar se Kosova ka nevojë për një Kuvend funksional dhe një qeveri të re që do të forconte marrëdhëniet me Bashkimin Evropian.
“Kosovës i nevojitet një Kuvend menjëherë, i duhet një qeveri e re që do ta ndërtonte një urë të re e të fortë mes Kosovës dhe Brukselit që ta përshpejtojë rrugëtimin e saj drejt BE-së,” deklaroi Orav.
Ai u bëri thirrje forcave politike që të tejkalojnë ngërçin institucional dhe të vendosin interesin e qytetarëve përpara kalkulimeve partiake.