Ambasadorët e huaj në Kuvend: “Klasa politike po e zhgënjen popullin”

Seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës ka dështuar sërish të prodhojë rezultat, duke thelluar edhe më tej krizën politike në vend. Pavarësisht pranishmërisë së ambasadorëve të vendeve perëndimore, deputetët nuk arritën të konstituojnë Kuvendin.
Në këtë seancë morën pjesë ambasadorët e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Mbretërisë së Bashkuar, Italisë, Francës, Gjermanisë, Maqedonisë së Veriut, Greqisë, si dhe Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë.
Ambasadori gjerman, Jorn Rohde, ka kritikuar ashpër bllokadën institucionale, duke e krahasuar situatën me një ndëshkim sportiv.
“Klasa politike po e zhgënjen popullin e vet dhe kjo është shumë shqetësuese. Vendimi i djeshëm i Gjykatës Kushtetuese, nëse flasim me gjuhën e futbollit, mund të quhet si një karton i kuq, sepse po e pezullon Parlamentin që të marrë vendime,” deklaroi Rohde nga foltorja e Kuvendit.
Pavarësisht pranisë së diplomacisë ndërkombëtare dhe thirrjeve për kompromis, partitë politike nuk arritën konsensus për t’i dhënë fund ngërçit që po zvarritet tash e disa javë. Seanca u ndërpre pa ndonjë rezultat konkret, ndërsa presioni ndërkombëtar ndaj klasës politike duket se po rritet.