Kosova

Ambasadori britanik paralajmëron: Nëse nuk gjendet zgjidhje deri nesër, Kosova hyn në territor të panjohur

Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves, ka reaguar pas dështimit të radhës për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, duke bërë thirrje të qartë për zgjidhje të menjëhershme të bllokadës politike.

Përmes një postimi në rrjete sociale, Hargreaves theksoi se vendi është shumë pranë një faze të paparashikuar dhe të pasigurt, nëse partitë politike nuk arrijnë të dakordohen para afatit të përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese, që përfundon të shtunën.

“I bëj thirrje politikanëve të Kosovës të bashkohen dhe të gjejnë një zgjidhje për t’i dhënë fund bllokimit përpara se afati i Gjykatës Kushtetuese të përfundojë nesër. Përndryshe, Kosova po hyn në një territor të panjohur dhe qytetarët e saj vazhdojnë të humbasin përfaqësimin politik kuptimplotë dhe aftësinë për të marrë vendime të rëndësishme vendase dhe ndërkombëtare që ndikojnë në jetën e qytetarëve”, ka shkruar ambasadori britanik.

Reagimi i tij vjen në një moment kur vendi po përballet me krizë të thellë institucionale, pasi edhe pas shumë tentativave, Kuvendi nuk ka arritur të konstituohet, duke lënë vendin pa institucione funksionale që nga zgjedhjet e fundit.

Gjykata Kushtetuese ka vendosur afat deri të shtunën për konstituimin e Kuvendit, ndërsa skadimi i këtij afati pa zgjidhje konkrete mund ta shtyjë vendin drejt një krize edhe më të thellë kushtetuese dhe politike.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button