Operacioni “Vakumi” në Lezhë – Zbulohen dy sera me 1640 fidanë kanabisi, arrestohen 3 persona dhe shpallen në kërkim 2 të tjerë

Policia ka finalizuar me sukses një tjetër goditje ndaj kultivimit dhe shpërndarjes së lëndëve narkotike, si pjesë e operacionit të koduar “Vakumi”. Si rezultat i hetimeve me metoda proaktive dhe kontrolleve të ushtruara në terren, janë zbuluar dy sera në fshatrat Rrabosht dhe Gocaj, ku ishin kultivuar gjithsej 1,640 fidanë dhe bimë narkotike të llojit cannabis sativa.
Gjatë operacionit, janë arrestuar në flagrancë tre shtetas:
Gjovan Gjini, 46 vjeç, banues në fshatin Rrabosht
Agustin Çotaj, 33 vjeç, banues në fshatin Balldre
Pashk Ndreca, 31 vjeç, banues në fshatin Ungrej
Ndërkohë, dy persona të tjerë janë shpallur në kërkim:
A. B., 40 vjeç, banues në fshatin Rrabosht
M. D., 31 vjeç, banues në fshatin Ungrej
Hetimet kanë zbuluar se këta shtetas ishin të përfshirë në një rrjet të mirëorganizuar për kultivimin, prodhimin dhe shpërndarjen e kanabisit, në bashkëpunim edhe me dy shtetas të tjerë të kapur një ditë më parë, të cilët transportonin rreth 34 kilogramë kanabis.
Gjatë kontrollit në territoret e njësive administrative Kallmet dhe Balldre, janë sekuestruar 7 automjete dhe 7 celularë, të cilët do të shërbejnë si prova materiale në vijim të hetimeve. Një pjesë e bimëve narkotike u sekuestrua, ndërsa pjesa tjetër u asgjësua me anë të djegies.
Operacioni është zhvilluar nga Sektori për Hetimin e Narkotikëve i DVP Lezhë, në bashkëpunim me Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale dhe Seksionin për Mbështetjen Operacionale të të njëjtës drejtori.
Nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale dhe për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet të paligjshëm. Gjithashtu, vijon puna për kapjen e dy shtetasve të shpallur në kërkim.