Berisha nga Kruja: Rënia e euros është katastrofë për eksportuesit – Pas 12 majit do të krijojmë bord kompensimi

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë një vizite në një biznes fason në Krujë, ka komentuar zhvlerësimin e euros në tregun shqiptar, të cilin e cilësoi si “katastrofik” për sektorin e eksportit. Ai deklaroi se rënia me 35% e euros ka shkaktuar dëme të mëdha për bizneset eksportuese dhe mijëra vende pune.
Berisha akuzoi qeverinë se ka lejuar pastrimin e parave dhe ndërhyrje të paligjshme në tregun financiar, duke theksuar se kjo ka dëmtuar rëndë ekonominë reale. Ai premtoi se nëse PD fiton zgjedhjet më 12 maj, do të krijohet një bord kompensimi për eksportuesit, që do të rimbursojë humbjet e shkaktuara nga rënia e euros “qindarkë për qindarkë”.
“Vetëm rënia e euros me 35%, për eksportuesin është katastrofë. Qeveria toleroi bandat që futën paratë e pista në treg, duke zhvlerësuar euron dhe falimentuar qindra ndërmarrje,” u shpreh Berisha. Ai shtoi se eksportet janë ulur me 32% në periudhën 2023-2024 dhe mijëra punëtorë kanë humbur vendet e punës.
Berisha kritikoi qasjen e kryeministrit Rama ndaj industrisë fason, duke theksuar se për PD-në ajo është një “krenari kombëtare” dhe jo një industri e botës së tretë, siç e ka cilësuar Rama.
Në përfundim, ai theksoi angazhimin e opozitës për të mbështetur prodhimin vendas, për të vendosur minimumin jetik për pensionistët dhe për të rikthyer paratë te qytetarët përmes politikave të reja fiskale.
“Me 11 maj votojmë për veten, për familjen dhe për të ardhmen e ekonomisë shqiptare,” përmbylli Berisha.