Lajme

Operacioni ndërkombëtar “Rrjeti” çmonton grup kriminal në Shqipëri

Pas tetë muajsh hetime, ka përfunduar me sukses operacioni policor ndërkombëtar i koduar “Rrjeti”, duke çmontuar një grup të strukturuar kriminal që trafikonte vajza nga vendet e Amerikës Latine dhe Azisë Qendrore, me destinacion Shqipërinë, ku shfrytëzoheshin për prostitucion.

Në këtë aksion, Policia e Shtetit në bashkëpunim me Prokurorinë, Policinë Kombëtare të Kolumbisë, Policinë kroate, EUROPOL dhe EUROJUST, ka ekzekutuar masa sigurie për 9 pjesëtarë të grupit, prej të cilëve 7 janë arrestuar në Shqipëri, ndërsa organizatori kryesor, një shtetas kolumbian, është prangosur në Kolumbi. Dy persona të tjerë janë shpallur në kërkim.

Sipas njoftimit zyrtar, janë proceduar penalisht edhe 48 shtetase të huaja për ushtrim prostitucioni. Policia ka zbuluar një hotel në rrugën “Reshit Collaku” në Tiranë, ku akomodoheshin dhe shfrytëzoheshin viktimat, ndërsa janë sekuestruar shuma parash, 7 celularë dhe prova të tjera që do të shërbejnë për hetimin.

Nga hetimet rezulton se shtetasi L. B. kishte rolin kryesor në rekrutimin e vajzave në vendet e Amerikës Latine, duke organizuar udhëtimin dhe akomodimin e tyre në Shqipëri. Në rast refuzimi, ai ushtronte presion dhe kërcënime ndaj viktimave dhe familjarëve të tyre në Kolumbi. L. B. bashkëpunonte me shtetasin D. S. për sigurimin e kushteve të akomodimit dhe menaxhimin e rrjetit të prostitucionit.

Gjithashtu, shtetasi I. G. kishte përshtatur hotelin në Tiranë si vend ku shfrytëzoheshin vajzat, ndërsa A. A. dhe K. N. mbanin në këtë objekt shtetase nga Kazakistani. Sipas hetimeve, D. B. furnizonte disa vajza me lëndë narkotike dhe siguronte klientë, ndërsa K. P., i arrestuar më herët, merrej me mbledhjen e të ardhurave dhe transferimin e tyre në llogaritë e L. B. përmes kriptovalutave.

Policia e Shtetit thekson se operacioni “Rrjeti” është një nga goditjet më të rëndësishme kundër trafikimit të qenieve njerëzore dhe shfrytëzimit për prostitucion në vend.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Kontrolloni gjithashtu
Close
Back to top button