Bota

OBSH: Mbi 1 miliard njerëz në botë preken nga problemet e shëndetit mendor

Mbi 1 miliard njerëz në mbarë botën vuajnë nga probleme të shëndetit mendor, kryesisht ankthi dhe depresioni, ndërkohë që çdo vit mbi 700 mijë persona humbin jetën për shkak të vetëvrasjes.

Këto janë gjetjet e dy raporteve të publikuara sot nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH), të cilat theksojnë se shpenzimet publike për shëndetin mendor mbeten shumë të ulëta – vetëm 2% e buxheteve kombëtare të shëndetësisë.

Drejtori i Përgjithshëm i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus, e cilësoi transformimin e shërbimeve të shëndetit mendor si “një nga sfidat më urgjente të shëndetit publik”.
“Çdo qeveri dhe çdo udhëheqës ka përgjegjësinë të veprojë urgjentisht dhe të sigurojë që kujdesi për shëndetin mendor të trajtohet jo si privilegj, por si një e drejtë themelore për të gjithë”, deklaroi ai.

Sipas raporteve World Mental Health Today dhe Mental Health Atlas 2024:

Gratë preken më shumë nga çrregullimet mendore (14.8%) krahasuar me burrat (13%).

Çrregullimet e ankthit janë më të përhapurat (4.4%), të ndjekura nga depresioni (4%), aftësia e kufizuar intelektuale (1.2%) dhe ADHD (1.1%).

Tek gratë dominojnë depresioni dhe ankthi gjatë gjithë jetës, ndërsa tek burrat janë më të shpeshta çrregullimet e zhvillimit intelektual, ato të spektrit të autizmit, sjelljes dhe ADHD.

Raportet nënvizojnë se pavarësisht përhapjes alarmante, investimet në këtë fushë nuk kanë ndjekur ritmin e nevojave, duke lënë miliona njerëz pa qasje të mjaftueshme në trajtim.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button