Ilir Deda: Kosova në bllokadë institucionale për shkak të veprimeve arbitrare të individëve të zhgënjyer nga rezultati zgjedhor

Opinionisti Ilir Deda ka ngritur alarmin për gjendjen e rëndë institucionale në të cilën ndodhet Kosova tash e pesë muaj, duke e cilësuar situatën si një paralizë politike që po rëndon qytetarët dhe demokracinë e vendit.
Në një deklaratë publike, Deda theksoi se kjo bllokadë është pasojë e veprimeve të njëanshme të individëve që nuk kanë arritur pritshmëritë e tyre zgjedhore dhe që, sipas tij, po përpiqen të ndëshkojnë tërë vendin për zhgënjimin e tyre personal.
“Vetëm me shpreh keqardhje për jonormalitetin ku po jetojmë. Edhe unë hala po pres me pa a do të këndellet pjesa tjetër e shoqërisë, se kjo duhet me qenë alarm”, tha Deda.
Ai akuzoi aktorë politikë për arbitraritet dhe mungesë të vullnetit për të pranuar rezultatin elektoral, duke i cilësuar këto veprime si pengesë për funksionimin normal të institucioneve.
“Jemi pesë muaj të paralizuar për shkak të arbitraritetit të dikujt aty, që Kosova mos me pas institucione sepse nuk po i konvenon. Nuk e ka rezultatin zgjedhor që e ka pritur dhe tani do ta dënojë krejt vendin pse nuk ia ka dhënë 500 mijë zemra”, deklaroi ai.
Deda u bëri thirrje qytetarëve dhe shoqërisë civile që të reagojnë dhe të mos e pranojnë më tej këtë gjendje të jashtëzakonshme të bllokimit institucional.