Opinione

“Një libër që duhet ta lexojë çdo shofer”

Eksperti i komunikacionit, Dr. Lavdim Hamiti, vjen me librin e tij më të ri “Teknologjia e avancuar në automjete rrugore: Siguria dhe parandalimi i aksidenteve përmes sistemeve moderne”, një vepër që tejkalon kufijtë e literaturës profesionale dhe shndërrohet në thirrje të drejtpërdrejtë për ndërgjegjësim shoqëror .
Në realitetin e sotëm ku aksidentet rrugore vazhdojnë të jenë ndër plagët më të rënda të shoqërisë, Hamiti nuk ofron thjesht teori, por ofron analizë të fortë dhe shpesh të pakëndshme për të vërtetat që ne i anashkalojmë: teknologjia nuk është shpëtim në vetvete. Ajo është vetëm një mjet dhe shpesh një mjet i keqkuptuar.
Libri trajton me qartësi të admirueshme transformimin e automjetit në një sistem inteligjent, duke analizuar rolin e sistemeve moderne si frenimi automatik emergjent, paralajmërimet për përplasje apo kontrolli i korsisë. Por, ndryshe nga qasjet klasike, autori nuk i glorifikon këto teknologji, përkundrazi, ai i vendos në raport kritik me faktorin njerëzor .
Mesazhi i tij është i drejtpërdrejtë: rreziku më i madh në trafik sot nuk është mungesa e teknologjisë, por besimi i verbër në të. Kjo qasje e bën librin jo vetëm informues, por edhe thellësisht edukues dhe reflektues për çdo qytetar.
Një dimension tjetër i rëndësishëm i veprës është trajtimi i sigurisë rrugore si çështje e politikave publike. Hamiti ngre pyetje të forta për institucionet dhe kërkon qasje më serioze dhe të strukturuar nga shteti në menaxhimin e sigurisë në trafik.
Me këtë botim, Dr. Lavdim Hamiti konfirmon veten si ndër autorët më seriozë dhe më të besueshëm në këtë fushë, duke sjellë një vepër që duhet të lexohet jo vetëm nga profesionistët, por nga çdo drejtues mjeti.
Sepse, në fund, mesazhi është i qartë: teknologjia mund të ndihmojë, por vetëm njeriu vendos nëse rruga do të jetë e sigurt.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button