Një fushatë për t’u habitur: Rama në gabime të njëpasnjëshme, ndërsa opozita flet vetëm për mirëqenie

Fushata zgjedhore e këtij viti po habit edhe më skeptikët. Edi Rama, mjeshtër i paketimit dhe shitjes së “asgjësë” në fushatat e kaluara, këtë herë po bën një sërë gafash që duken më shumë si autogola politike sesa lapsuse të pavullnetshme.
Që në ditën e parë të fushatës, Rama befasoi me një performancë të cilësuar nga shumë si tallava në qendër të Tiranës. Ajo nuk shiti as mesazh politik, as shpresë. Por gafat nuk u ndalën aty. Ofendime të drejtpërdrejta ndaj burrave, grave, fëmijëve me aftësi ndryshe, madje edhe sulme personale me nudo e insinuata, kanë shndërruar fushatën e tij në një betejë nervash më shumë se ideologjish.
Një familje me një fëmijë autik nuk mund të mos ndjejë ofendim, ndërsa një qytetar, i quajtur “cyryk”, e ka të vështirë të mos pyesë veten: “A duhet të votoj për dikë që më fyen publikisht?”
Në vende normale, këto do të ishin shkatërruese për çdo udhëheqës. Por Shqipëria është një tjetër realitet. Kjo ngre pyetjen: Pse po i bën Rama këto gabime? Disa mendojnë se është i sigurt në fitore dhe flet pa filtrin e zakonshëm. Të tjerë, se ndodhet nën presion për shkak të sondazheve jo fort optimiste.
Në anën tjetër të spektrit politik, Partia Demokratike po zhvillon, sipas shumë vëzhguesve, fushatën më të qetë dhe më të përqendruar ndonjëherë. Pa përplasje, pa ofendime, pa devijime. Vetëm mesazhe të qarta: pension 200 euro, rrogë minimale 1200 euro, minimum jetik 200 euro, subvencione për fermerët, investime në spitale. Një fushatë që përsërit të njëjtat mesazhe, por këtë herë pa bezdisur, përkundrazi – duke fituar pikë.
Refuzimi i opozitës për të rënë në kurthin e provokimeve të Ramës, nga incidentet me figura publike të diskutueshme deri te tentativa për përçarje në radhët e kundërshtarëve, tregon një strategji të qartë dhe të menduar mirë – që shumë e lidhin me konsulencën ndërkombëtare, konkretisht me “La Civita”.
A do të mjaftojë kjo strategji për të sjellë një ndryshim të madh në 14 maj? Kjo mbetet për t’u parë. Por një gjë është e sigurt: është strategjia më e mirë që ka ndjekur ndonjëherë opozita shqiptare. Dhe ndoshta, e vetmja që mund të japë rezultat.