Një 19-vjeçar shqiptar vritet me armë zjarri në Francë – Hetimet në duart e policisë kombëtare

Një 19-vjeçar shqiptar humbi jetën si pasojë e një të shtënë me armë zjarri të dielën pasdite, më 20 prill 2025, në Avenue Charras, Clermont-Ferrand, Francë – një zonë jo shumë larg stacionit hekurudhor SNCF.
Sipas autoriteteve franceze, i riu u qëllua nga një person që ndodhej në një makinë në lëvizje, i cili më pas është larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes. Viktima, identiteti i të cilit nuk është bërë ende publik, ka ndërruar jetë në vend, ndërsa autoritetet konfirmuan se ai nuk kishte precedentë penalë.
Edhe pse Avenue Charras është një zonë e njohur për aktivitetet e trafikut të drogës, hetuesit ende nuk kanë arritur të lidhin ngjarjen me rrjete kriminale. Hetimi i rastit i është besuar njësisë së specializuar të policisë kombëtare franceze, ndërsa hetimet janë në fazë fillestare.
Autoritetet kanë bërë thirrje për dëshmitarë që mund të ndihmojnë në identifikimin e autorit dhe zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.