Bota

NATO mblidhet urgjentisht pas shkeljes së hapësirës ajrore të Polonisë nga dronët rusë

NATO ka zhvilluar një mbledhje urgjente pas aktivizimit të Nenit 4 nga Polonia, pasi disa dronë rusë dyshohet se shkelën hapësirën ajrore polake gjatë një ofensive drejt Ukrainës. Situata është cilësuar si një nga momentet më të ndjeshme të sigurisë kolektive në Evropë.

Komandanti Suprem i Forcave Aleate, gjenerali Alexus Grynkewich, tha se kjo ishte përballja e parë e avionëve të NATO-s me kërcënime të mundshme brenda hapësirës ajrore të Aleancës. Ndërkohë, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, dërgoi një mesazh të prerë:
“Ky nuk është një rast i izoluar: ne jemi të gatshëm, vigjilentë dhe do të mbrojmë çdo centimetër të territorit të NATO-s.”

Ambasadori amerikan në NATO, Matthew Witaker, theksoi se SHBA qëndron pranë aleatëve, ndërsa Rutte i dërgoi një mesazh të drejtpërdrejtë presidentit rus Vladimir Putin: “Ndaloni luftën në Ukrainë, ndaloni përshkallëzimin kundër civilëve dhe ndaloni shkeljen e hapësirës ajrore të aleatëve.”

Ndërsa disa burime ushtarake sugjeruan se incidenti mund të ketë qenë një provë e dështuar, ministrat e mbrojtjes së Gjermanisë dhe Italisë, Boris Pistorius dhe Guido Crosetto, e cilësuan sulmin si të qëllimshëm.

Reagimi i NATO-s ka qenë i menjëhershëm, duke vendosur në Poloni avionë luftarakë polakë e holandezë, sisteme të mbrojtjes ajrore Patriot nga Gjermania dhe një avion zbulues italian AWACS.

Çfarë është Neni 4 i NATO-s?

Neni 4 i Traktatit të Aleancës së Atlantikut të Veriut, i nënshkruar në vitin 1949, parashikon konsultime mes aleatëve kur një vend anëtar ndjehet i kërcënuar në sigurinë ose integritetin e tij territorial. Ndryshe nga Neni 5, ai nuk detyron një përgjigje të menjëhershme ushtarake, por shërben si një mekanizëm diplomatik për të ngritur shqetësime serioze dhe për të koordinuar qëndrimin e Aleancës.

Ky nen është përdorur vetëm tetë herë në historinë e NATO-s, përfshirë rastet e Turqisë ndaj kërcënimeve nga Iraku dhe Siria, si dhe nga Polonia dhe vendet baltike pas aneksimit të Krimesë nga Rusia në vitin 2014. Aktivizimi i tij nga Varshava sot synon të tregojë vendosmëri dhe të forcojë solidaritetin transatlantik në një kohë tensionesh të larta me Moskën.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button