NATO forcon krahun lindor pas shkeljes së hapësirës ajrore polake nga dronët rusë

Aleanca ushtarake e NATO-s ka njoftuar për forcimin e krahut të saj lindor pas shkeljes së hapësirës ajrore të Polonisë nga dronët rusë më 10 shtator, ngjarje që ka rritur tensionet në rajon.
Në një deklaratë, NATO bëri të ditur nisjen e aktivitetit të ri “Roja Lindore”, që do të përfshijë dislokimin e pajisjeve shtesë ushtarake nga Britania, Danimarka, Franca dhe Gjermania, me qëllim parandalimin e një agresioni të mundshëm rus.
Gjenerali amerikan Alexus Grynkewich, komandanti suprem i NATO-s për Evropën, tha se pajisjet e reja do të përfshijnë avionë luftarakë francezë Rafale, F-16 danezë, një fregatë dhe sisteme tokësore mbrojtjeje. Ai theksoi se aleanca do të mbrojë çdo centimetër të territorit të saj.
Kryeministri holandez Mark Rutte e cilësoi si “të pamatura dhe të papranueshme” veprimin e Moskës, ndërsa presidenti francez Emmanuel Macron nënvizoi se siguria e Evropës është prioritet kryesor.
Në një mbledhje urgjente të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, ushtruesja e detyrës së ambasadorit të SHBA-së, Dorothy Shea, konfirmoi mbështetjen e plotë të Shteteve të Bashkuara ndaj aleatëve të NATO-s dhe nënvizoi se çdo shkelje e territorit të aleancës do të marrë përgjigje të menjëhershme.
Ngjarjet vijnë pas sulmeve të intensifikuara të Rusisë ndaj Ukrainës dhe shkeljes së hapësirës ajrore polake pas samitit të Alaskës më 15 gusht mes presidentëve Donald Trump dhe Vladimir Putin, duke treguar një mungesë respekti ndaj përpjekjeve diplomatike ndërkombëtare për zgjidhjen e konfliktit.