Milani arrin marrëveshje për transferimin e Zachary Athekame

Milani ka përfunduar marrëveshjen për transferimin e mbrojtësit të djathtë, Zachary Athekame, nga skuadra zvicerane Young Boys. Sipas gazetarit italian dhe ekspertit të merkatos, Fabrizio Romano, marrëveshja kap vlerën e 10 milionë eurove, ndërsa në kontratë është përfshirë edhe një klauzolë prej 10% që do t’i takojë Young Boys në rast të një shitjeje të ardhshme të lojtarit nga “Rossonerët”.
Athekame pritet të udhëtojë së shpejti drejt Milanos për t’iu nënshtruar vizitave mjekësore dhe më pas të firmosë kontratën me klubin italian.
Mbrojtësi i djathtë do të zëvendësojë lojtarët Kyle Walker dhe Emerson Royal, të cilët u larguan gjatë kësaj vere. Ky transferim vjen menjëherë pas zyrtarizimit të qendërmbrojtësit Koni De Winter, i cili gjithashtu iu bashkua Milanit së fundmi.
Drejtori sportiv, Igli Tare, është vlerësuar për punën e tij në merkato, duke arritur të shesë lojtarë me çmime të larta dhe të sjellë përforcime cilësore me kosto të arsyeshme.