Rama reagon për debatet mbi avionët zjarrfikës: “Problemi nuk zgjidhet vetëm me blerje mjetesh”

Kryeministri Edi Rama ka reaguar në platformën X lidhur me debatin e hapur përse Shqipëria nuk ka blerë avionë zjarrfikës, në një kohë kur vendi po përballet me zjarre masive në pothuajse të gjithë territorin.
Rama tha se, ndonëse pajisjet ajrore do të ishin të dobishme, ato nuk përbëjnë zgjidhjen e vetme, pasi situata është shumë më komplekse. “Ka shpërthyer një debat pse nuk blen Shqipëria avionë zjarrfikës, ndërkohë që ka ca llogari që duhen bërë dhe zjarret e ditëve të fundit nuk janë assesi çështje e një apo dy apo edhe tre avionësh! Dakord, mirë do ishte t’i kishim, por…”, u shpreh ai.
Kreu i qeverisë theksoi se Shqipëria këtë vit ka mjete ajrore për shuarjen e zjarreve më shumë se çdo vit tjetër, falë flotës vendase dhe ndihmës nga Mekanizmi Europian i Mbrojtjes Civile, si dhe nga Emiratet e Bashkuara Arabe.
Duke marrë shembull Greqinë, Rama tha se edhe vendet me flotë të madhe ajrore po përballen me situata të rënda. “Greqia ka një flotë ajrore prej 77 avionësh zjarrfikës, rreth 20 helikopterë dhe mbi 3,500 automjete të tjera. Sërish, vendi po përcëllohet nga flakët,” tha ai.
Sipas Ramës, problemet duhet adresuar tek shkaqet dhe jo vetëm tek mjetet. “Sa më shumë aq më mirë padiskutim, por kurimi i pasojave nuk i eliminon shkaqet, të cilat janë shumë më komplekse se sa duken kur numëron avionët”, përfundoi kryeministri.