Sport

Messi mund të largohet nga MLS: A është Barcelona destinacioni i fundit i legjendës argjentinase?

Kanë kaluar katër vite që nga largimi i Lionel Messit nga Barcelona, por ëndrra e rikthimit të tij në “Camp Nou” vazhdon të jetojë në zemrat e tifozëve katalanas. Në moshën 38-vjeçare, ylli argjentinas po shkëlqen në MLS me skuadrën e Inter Miamit, ku ka kontratë deri më 31 dhjetor 2025.

Megjithatë, raportet nga mediat ndërkombëtare kanë rikthyer fuqishëm spekulimet për një rikthim të bujshëm në Barcelonë. Sipas gazetarit të njohur argjentinas Esteban Edul (ESPN), Messi po konsideron të largohet nga MLS rreth gjashtë muaj përpara fillimit të Botërorit “FIFA 2026”, me qëllim që të luajë në një ligë më konkurruese për të arritur formën optimale për turneun e fundit të madh ndërkombëtar në karrierën e tij.

Për më tepër, kontrata me Inter Miami nuk është ende rinovuar dhe bisedimet janë pezulluar përkohësisht, duke lënë të hapur derën për një largim në merkaton dimërore të ardhshme.

Messi, i cili udhëhoqi Argjentinën drejt triumfit në Botërorin e vitit 2022 në Katar, dëshiron të përgatitet maksimalisht për të mbrojtur titullin në SHBA, Meksikë dhe Kanada në verën e vitit 2026. Dhe për këtë, ai mund të kërkojë një ambient më sfidues sesa MLS.

Por një rikthim në Barcelonë mbetet i komplikuar. Marrëdhënia e tensionuar me presidentin Joan Laporta vijon të jetë një pengesë serioze. Gazetari i njohur spanjoll Guillem Balague, i afërt me kampin e Messit, ka deklaruar se futbollisti nuk e sheh të mundur rikthimin në klubin katalanas për aq kohë sa Laporta qëndron në krye të bordit drejtues.

Sidoqoftë, me vetëm gjashtë muaj të mbetur nga kontrata e tij në SHBA, mbetet për t’u parë nëse Barcelona do të përpiqet të zbusë tensionet dhe t’i ofrojë numrit 10 një skenë përmbyllëse të denjë për legjendën më të madhe të historisë së klubit. Një rikthim i tillë do të emociononte jo vetëm tifozët e Barcelonës, por të gjithë botën e futbollit.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button