Kosova

Jetullah Aliu për rastin në Klinë: Rrahja nga policët është e papranueshme, ligji është i pamëshirshëm ndaj tyre

Jetullah Aliu, ish-drejtor i hetimeve në Inspektoratin Policor të Kosovës (IPK), ka reaguar pas publikimit të pamjeve tronditëse nga Klina, ku tre zyrtarë policorë shihen duke rrahur një qytetar të paarmatosur. Sipas Aliut, një rast i tillë nuk do të duhej të ndodhte, pasi policia ka për detyrë të tregojë profesionalizëm dhe etikë në çdo situatë.

“Si çdo qytetar, edhe unë e kam parë si një shqetësim. Ky rast duhet të jetë sinjal që zyrtarët policorë të jenë më të kujdesshëm. Konsideroj se rasti është i dëshmuar dhe i argumentuar, bazuar në videot dhe informacionet që kam,” tha Aliu.

Ai konfirmoi se IPK ka ndërmarrë menjëherë masa disiplinore ndaj tre zyrtarëve të përfshirë, duke i suspenduar ata nga detyra. Ndërkohë, me autorizim të Prokurorit të Shtetit, tre zyrtarët janë arrestuar nën dyshimin për veprën penale “Keqpërdorim i autorizimeve zyrtare”.

Aliu theksoi se ndonëse jo të gjithë zyrtarët abuzojnë me pozitën e tyre, rastet e tilla duhet të shërbejnë si mësim dhe paralajmërim.

“Ka disa faktorë që i shtyjnë zyrtarët të tejkalojnë autorizimet e tyre, por ligji ndaj tyre është i pamëshirshëm. Jo të gjithë keqpërdorin pozitën zyrtare, por rasti i Klinës duhet të jetë një shembull i qartë se dhuna nuk ka vend në radhët e policisë,” përfundoi ai.

Rasti ka shkaktuar reagime të shumta publike dhe është cilësuar si një test i rëndësishëm për institucionet e drejtësisë në Kosovë.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button