Manchester City ndez atmosferën për derbin kundër Manchester United

Manchester City ka vendosur një surprizë për tifozët e tyre para derbit të madh të qytetit kundër Manchester United. Ndeshja e 197-të e Manchester-it zhvillohet këtë të diel në Etihad Stadium, me fillim nga ora 16:30.
Pas dy humbjesh radhazi ndaj Tottenham dhe Brighton, skuadra e Pep Guardiolës kërkon rikthimin te fitorja, duke u përballur me rivalët e përbetuar të qytetit.
Në një vendim të rrallë, City ka pranuar kërkesën e tifozëve të grupit 1984 që sistemi i altoparlantëve (PA) të fiket disa minuta para daljes së ekipeve nga tuneli, për të krijuar një atmosferë më të gjallë dhe frikësuese për kundërshtarët. Grupi i tifozëve i bëri thirrje të gjithë mbështetësve që të marrin vendet në kohë dhe të japin maksimumin e tyre në stadium.
City ka përjetuar një humbje dramatike ndaj United vitin e kaluar në Etihad, ku Bruno Fernandes barazoi nga penalltia në minutën e 88-të, përpara se Amad Diallo të shënonte golin e fitores në kohën shtesë.
Sa i përket dëmtimeve, City mund të jetë pa deri në 13 lojtarë, përfshirë Omar Marmoush, John Stones, Nico O’Reilly, Rico Lewis dhe Rayan Cherki. Megjithatë, rikthehen në formacion lojtarë kyç si Phil Foden, Savinho, Josko Gvardiol, Rayan Ait-Nouri dhe Abdukodir Khusanov. Portieri i ri, Gianluigi Donnarumma, mund të bëjë debutimin me City.
Edhe Manchester United pritet të ketë ndryshime, me debutimin e mundshëm të portierit belg Senne Lammens dhe mungesat e Matheus Cunha dhe Mason Mount pas lëndimeve të pësuara në ndeshjen e fundit kundër Burnley-t.
Derbi i Manchester-it pritet të jetë një ndeshje dramatike, me City që kërkon të nisë sezonin si duhet dhe United që synon të ruajë vendin mbi rivalët e qytetit.