Sekuestrohen 50 fishekë 9 mm në Pikën Kufitare Hani i Elezit

Zyrtarët e Njësitit Antikontrabandë të Doganës së Kosovës kanë sekuestruar 50 fishekë të kalibrit 9 mm, gjatë një kontrolli rutinë në Pikën Kufitare Hani i Elezit.
Sipas njoftimit të Doganës, municioni i tipit Luger (X-Force) ishte fshehur në bagazhin e një veture që po hynte në Kosovë, ndërkohë që udhëtarët fillimisht kishin deklaruar se nuk posedonin mallra për deklarim. Pas një kontrolli të detajuar, zyrtarët gjetën një pako të fshehur që përmbante fishekët.
“Rreth orës 05:45, gjatë një kontrolli rutinë të një automjeti në hyrje të territorit të Kosovës, zyrtarët zbuluan 50 fishekë të kalibrit 9 mm. Rasti tani i është dorëzuar Policisë së Kosovës për procedura të mëtejshme ligjore,” thuhet në njoftim.
Fishekët janë sekuestruar, ndërsa udhëtarët përballen me hetime për shkelje të ligjit mbi armët dhe municionin.