Leao: Zgjodha Milanin pa hezitim, refuzova Interin

Rafael Leao ka treguar se nuk është aspak i penduar që e ka kaluar një pjesë të mirë të karrierës së tij te Milani. Ylli portugez zbuloi se, para transferimit në “San Siro”, kishte marrë ofertë nga Interi, por vendosi ta refuzonte.
“Kur më ka thirr Maldini, isha në hotel në Portugali. U nisa menjëherë drejt Milanos me familjen time dhe kuptova madhështinë e klubit kur luajta ndeshjen e parë në shtëpi. Ishte e pabesueshme, stadiumi i mbushur, një çmenduri e vërtetë. Edhe fitimi i Scudettos ishte ndjesi unike që çdo lojtar duhet ta përjetojë”, tha Leao në podcastin “Say Less”, përcjell Gazeta Express.
Sulmuesi portugez pranoi se Interi ishte opsioni i parë që iu ofrua, por ai nuk u bind.
“Isha duke shkuar në Inter. Drejtori sportiv i Lillet më tha se po më shisnin atje, por unë ia ktheva ‘jo’. Doja të qëndroja edhe një vit për t’u përmirësuar. Pas disa javësh, më tha se Milani ishte i interesuar. Në momentin që fola me Maldinin, e pranova menjëherë. Nuk mund t’i thoja jo Milanit”, shpjegoi Leao.
Portugezi tha se idhujt e tij të fëmijërisë, si Ronaldinho, Ronaldo, Kakà e Seedorf, e bënë zgjedhjen edhe më të lehtë:
“Mes Milanit dhe Interit, do ta zgjidhja 100 herë Milanin. Historia dhe tradita e klubit nuk krahasohen”.
Ai foli edhe për përjetimin e derbit të parë të Milanos:
“Të gjitha rrugët ishin të bllokuara, tifozët na godisnin me duar autobusin, ishte çmenduri. Nuk ka rëndësi forma gjatë sezonit, java e derbit është gjithmonë speciale. Është ndeshja për të cilën flitet gjatë gjithë vitit”.



