Kosova

LDK përkujton Deklaratën e 2 Korrikut: Gurthemel i shtetësisë së Kosovës

Lidhja Demokratike e Kosovës ka përkujtuar 35-vjetorin e shpalljes së Deklaratës Kushtetuese të 2 Korrikut 1990, duke e cilësuar atë si një nga momentet më vendimtare në historinë e shtetësisë së Kosovës.

Në një komunikatë për media, LDK thotë se ky akt historik hodhi themelet juridike dhe politike të shtetit të Kosovës, në rrethana jashtëzakonisht të vështira, nën rrethim ushtarak dhe përballë presionit të ashpër nga regjimi serb.

“Sot, shënojmë 35-vjetorin e shpalljes së Deklaratës Kushtetuese të 2 Korrikut 1990, aktin historik që hodhi themelet juridike dhe politike të shtetësisë së Kosovës. Në rrethana jashtëzakonisht të vështira… 114 delegatë e shpallën Kosovën si njësi të barabartë dhe të pavarur brenda federatës së atëhershme, duke shprehur vullnetin e palëkundur të popullit për liri, pavarësi dhe demokraci”, thuhet në komunikatë.

LDK thekson se ky akt sfidoi sistemin shtypës dhe u shndërrua në pikënisjen e rrugëtimit të Kosovës drejt pavarësisë së plotë dhe integrimit euroatlantik. Ajo kujton se lëvizja gjithëpopullore e drejtuar nga Presidenti historik Dr. Ibrahim Rugova bashkoi popullin dhe vendosi bazat juridike të shtetësisë.

Në komunikatë, LDK nënvizon se përpjekjet për liri kulmuan me luftën çlirimtare të popullit dhe ndërhyrjen vendimtare të NATO-s, që sollën përfundimisht lirinë e Kosovës.

“Deklarata e 2 Korrikut mbetet një gurthemel i pathyeshëm në ndërtimin e shtetit tonë, një pikë kthese në historinë moderne të Kosovës dhe një dëshmi e aspiratës sonë për t’u bërë pjesë e familjes euroatlantike”, përfundon LDK, duke shprehur mirënjohje për delegatët e asaj dite dhe për të gjithë ata që kontribuuan në rrugën drejt lirisë dhe pavarësisë.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button