Kosova

Kurti merr pjesë në pritjen e Ambasadës Amerikane për Ditën e Pavarësisë së SHBA-së

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka marrë pjesë në pritjen e organizuar nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë, me rastin e 249-vjetorit të Pavarësisë së SHBA-së.

Përmes një postimi në platformën X, Kurti ka falënderuar të Ngarkuarën me Punë të SHBA-së në Kosovë, Anu Prattipati, për mikpritjen në këtë mbrëmje festive.

“Faleminderit të Ngarkuarës me Punë të Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Anu Prattipati, për pritjen e mbrëmshme me rastin e Ditës së Pavarësisë së SHBA-së. Jemi mirënjohës për miqësinë e qëndrueshme dhe vlerat e përbashkëta që e bëjnë bashkëpunimin tonë gjithnjë e më të fortë dhe më domethënës,” ka shkruar Kurti.

Në fotografitë e publikuara nga kryeministri, ai shihet në shoqërinë e bashkëshortes së tij, Rita Augestad Knudsen. Në sfond shihen edhe disa ministra në detyrë të kabinetit qeveritar që morën pjesë në pritje, përfshirë ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, dhe ministren e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari.

Pjesëmarrja e përfaqësuesve të lartë institucionalë në këtë pritje vjen si shenjë e vazhdimit të marrëdhënieve të ngushta ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button