Kosova

Bedri Hamza përkujton 2 Korrikun: “Deklarata ishte akt guximi dhe fillimi i ecjes drejt Evropës”

Kryetari i Mitrovicës, Bedri Hamza, ka përkujtuar Deklaratën historike të 2 Korrikut 1990, duke e cilësuar atë si një akt guximi dhe pikënisje të përpjekjeve të pandalshme për liri dhe pavarësi të Kosovës.

Përmes një postimi në profilin e tij në “Facebook”, Hamza ka theksuar se delegatët shqiptarë të asaj kohe u bënë zëri i popullit që nuk pranoi më të heshtte, pavarësisht frikës dhe represionit.

“Deklarata e 2 Korrikut 1990 ishte një akt guximi dhe pikënisje e shumë përpjekjeve të pandalshme për liri dhe pavarësi. Delegatët shqiptarë të asaj kohe u bënë zëri ynë, zëri i popullit tonë, që më nuk pranoi të heshtte. Në vitet e 90-ta, ne u kthyem nga heshtja në histori dhe falë sakrificës së brezave, që kulmoi me luftën e UÇK-së, ne e kemi shtetin tonë,” ka shkruar ai.

Hamza ka shtuar se kjo datë shënon edhe nisjen e rrugës së Kosovës drejt Evropës, duke nderuar patriotizmin dhe kurajën e delegatëve të cilët, sipas tij, guxuan të kërkonin një të ardhme më të mirë për vendin.

“Sot, me shumë respekt, nderojmë patriotizmin e delegatëve shqiptarë, të cilët guxuan të kërkonin një të ardhme më të mirë në kohën kur frika dhe represioni kishin paralizuar çdo zë ndryshe. Në korrikun e vitit 1990, ne e kemi nisur edhe ecjen tonë drejt Evropës,” ka përfunduar Hamza.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button